Përkufizime

Përkufizimi i termave

Sipas kuptimit të ligjit:

  • Mjedis - është bashkësia e ndërveprimeve të përbërësve biotikë dhe jobiotikë që nxisin dhe ushqejnë jetën e gjallë në tokë, duke përfshirë mjedisin biofizik natyror të ajrit, të tokës, të ujërave, larminë e ekosistemeve biologjike, shëndetin e njeriut, vlerat dhe trashëgimitë kulturore, shkencore, fetare e shoqërore.
  • Mbrojtja e mjedisit - është veprimtaria që synon parandalimin dhe kufizimin e ndotjes, të degradimit të mjedisit, përtëritjen, ruajtjen dhe përmirësimin e tij.
  • Ndotja e mjedisit - është futja e drejtpërdrejtë ose e tërthortë e lëndëve, vibracioneve, energjisë, nxehtësisë, rrezatimit, zhurmës e faktorëve biologjikë në ajër, në ujë e në tokë, të cilat mund të ndryshojnë cilësitë e mjedisit dhe të dëmtojnë cilësinë e jetës.
  • Dëmtimi i mjedisit - është prishja e karakteristikave fiziko-kimike dhe strukturore të ekosistemit natyror, ulja e prodhimtarisë biologjike dhe shumëllojshmërisë së ekosistemeve natyrore dhe antropike, prishja e ekuilibrit ekologjik dhe cilësisë së jetës të shkaktuara kryesisht nga ndotja e ujit, ajrit, tokës prej veprimtarive njerëzore ose fatkeqësive natyrore, si dhe nga mbishfrytëzimi i burimeve natyrore dhe minerare.
  • Shkarkimi në mjedis është çlirimi dhe dalja në mjedis, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, e lëndëve të gazta, të ngurta, të lëngëta, si dhe energjisë, vibracioneve e zhurmave, nga një ose disa burime të palëvizshme, në lëvizje ose të shpërndara.
  • Lëndë të rrezikshme - janë ato lëndë, prodhimi, transporti, ruajtja, përdorimi e shkarkimi i të cilave në mjedis, si rezultat i vetive të tyre, dëmtojnë ose mund të dëmtojnë shëndetin e njeriut, cilësitë e mjedisit, florën, faunën, biocenozat dhe biotopet.
  • Mbetje - janë lëndët, objektet ose pjesë të tyre, që përcaktohen nga autoriteti përgjegjës, të cilat nuk përdoren më ose që pronari do t’i largojë. Mbetjet vlerësohen si të tilla, për sa kohë që materialet e nxjerra prej tyre ose energjia e prodhuar nuk përfshihet në procesin e prodhimit.
  • Mbetje të rrezikshme - janë mbeturinat toksike gërryese, ngacmuese, shpërthyese, të përflakshme, kancerogjene, infektive dhe radioaktive, që kanë vetinë të prishin gjendjen natyrore të ujit, tokës dhe ajrit, me pasoja negative për shëndetin e njeriut dhe për ekosistemet natyrore.
  • Treguesi mjedisor - është një ndryshore që jep në mënyrë të përmbledhur dhe të thjeshtë të dhëna për një dukuri mjedisore, duke e bërë atë të perceptueshme nëpërmjet dhënies së një vlere numerike, matjes dhe komunikimit. Dukuritë mjedisore lidhen me cilësitë e mjedisit e të përbërësve të tij, shkarkimet në mjedis, ndotjen e mjedisit e dëmtimin e tij, biodiversitetin dhe shkallën e dëmtimit ose të ruajtjes së tij dhe masat e marra për mbrojtjen e mjedisit.
  • Monitorimi i mjedisit - është grumbullimi, vlerësimi dhe përgjithësimi i të dhënave mjedisore me anë të vëzhgimit, të vazhduar ose periodik, të një grupi treguesish mjedisorë, cilësorë dhe sasiorë, që karakterizojnë përbërësit e mjedisit dhe ndryshimet e tyre nga ndikimi i faktorëve natyrorë dhe njerëzorë.
  • Veprimtari që ndikon në mjedis - është çdo veprimtari ekonomike e shoqërore, që përdor mjedisin ose përbërës të tij ose që shkarkon në mjedis lëndë dhe energji, duke ndryshuar cilësitë e tij.
  • Ndikimi në mjedis - është çdo ndryshim i mjedisit fizik, përfshirë pasojat shëndetësore, ekonomike, shoqërore, estetike, natyrore dhe fizike.
  • Ndikimi ndërkufitar në mjedis - është çdo ndikim në një zonë, që ndodhet në juridiksionin e një vendi, ku veprimtaria zhvillohet plotësisht ose pjesërisht në një zonë në juridiksonin e një vendi tjetër, ku nuk përfshihen dukuritë e ndikimit në mjedisin global (ndryshimet klimatike, ujërat ndërkombëtare, biodiversiteti, toka).
  • Projekt nënkupton: a) zbatimin e veprave të ndërtimit, të instalimeve ose skemave; b) ndërhyrjen në mjedisin natyror dhe peizazh, duke përfshirë edhe shfrytëzimin e burimeve natyrore dhe të pasurive minerare.
  • Vlerësimi i ndikimit në mjedis - është procesi që kryhet për të identifikuar, parashikuar, interpretuar, matur, komunikuar e parandaluar ndikimin e një projekti në mjedis, sipas disa varianteve të tij, me qëllim që të përzgjidhet varianti më i mirë për parandalimin dhe zbutjen e ndikimit negativ, para se projekti të miratohet dhe të zbatohet.
  • Vlerësimi strategjik mjedisor - është procesi i vlerësimit të ndikimeve të mundshme në mjedis të një politike, plani dhe programi.
  • Deklarata mjedisore - është dokumenti zyrtar i lëshuar nga Ministri i Mjedisit pas shqyrtimit të kërkesës për miratimin e një projekti, plani ose programi të përcaktuar në shkronjën “a” të pikës 14 të këtij neni, që miraton ose jo kërkesën, duke e shoqëruar me kushte detyrimisht të zbatueshme për propozuesin dhe organet shtetërore përgjegjëse.
  • Leja mjedisore - është dokumenti zyrtar i lëshuar nga Ministria e Mjedisit, pas shqyrtimit dhe këshillimit me të gjitha palët e interesuara të kërkesës dhe dokumentacionit të saj shoqërues, që miraton ushtrimin e çdo veprimtarie, që ka ndikim në mjedis, ku përcaktohen kushtet dhe rrethanat detyrimisht të zbatueshme, për të mos dëmtuar e ndotur mjedisin mbi normat e lejuara.
  • Normat e cilësisë së mjedisit - janë një grup kërkesash, që duhen plotësuar për një kohë të dhënë dhe në një të dhënë pjesë të mjedisit, për përmbajtjen e lëndëve ndotëse, në disa pika të veçanta të ajrit, ujërave dhe tokës, vlera e të cilave nuk duhet të kalojë vlerën kufi të lejuar.
  • Ndotja mbi normë e mjedisit - është tejkalimi i normave të cilësisë së mjedisit.
  • Norma e shkarkimeve në mjedis - është vlera më e madhe e lejuar e përmbajtjes së lëndëve ndotëse në shkarkimet për një periudhë kohe të dhënë. Normat e shkarkimeve zbatohen në pikat ku shkarkimet dalin nga instalimi pa u holluar.
  • Burime natyrore - janë elementet biotike dhe jobiotike, që përdoren ose që mund të përdoren nga njeriu për plotësimin e nevojave të tij.
  • Burime të përtëritshme - janë burimet natyrore, që përtërihen në mënyrë natyrore ose që mund të përtërihen plotësisht ose pjesërisht me rrugë të tjera. Të gjitha burimet e tjera janë të papërtëritshme. 24. “Dëmtimi historik i mjedisit” është ndotja me lëndë të rrezikshme dhe mbetje e zonave industriale dhe e rrethinave të tyre, e shkaktuar nga veprimtaritë e ndërmarrjeve, të cilat sot mund të jenë në gjendje pune, të mbyllura, të braktisura, të privatizuara ose të dhëna me koncesion dhe që vazhdojnë të kërcënojnë shëndetin dhe mjedisin.
  • Zhvillimi i qëndrueshëm - është zhvillimi që plotëson nevojat e së tashmes dhe të së ardhmes pa shtrënguar ose prekur mundësitë dhe kapacitetet që edhe brezat e ardhshëm të plotësojnë nevojat e tyre.
  • Përdorimi i qëndrueshëm - i burimeve natyrore e minerare siguron plotësimin e nevojave të sotme, pa cenuar nevojat e brezave të ardhshëm për këto burime.
  • Teknikat më të mira të mundshme - përfaqësojnë fazën më të përparuar dhe me nivel të lartë të mbrojtjes së mjedisit, të zhvillimit të një veprimtarie dhe që janë plotësisht të zbatueshme nga pikëpamja praktike dhe ekonomike.
  • Parimi i kujdesit - është marrja e vendimeve dhe e veprimeve të nevojshme për të pakësuar rrezikun mjedisor, për të parandaluar dhe pakësuar në kohën e duhur çdo dëmtim të ardhshëm të mjedisit.
  • Parimi i parandalimit - është përzgjedhja dhe miratimi i variantit më të mirë, që në fazën fillestare të vendimmarrjes, për të shmangur ndikimet e dëmshme të një veprimtarie në mjedis.
  • Parimi i riaftësimit - është domosdoshmëria për të riparuar dëmet mjedisore të shkaktuara nga vetë personat fizikë e juridikë dhe për të përtëritur dhe riaftësuar mjedisin e dëmtuar.
  • Parimi Ndotësi paguan - nënkupton koston që paguan ndotësi për përmirësimin e një mjedisi të ndotur dhe për kthimin e tij në një gjendje të pranueshme. Kjo pasqyrohet në koston e prodhimit, të konsumit të mallrave dhe të shërbimeve që shkaktojnë ndotjen.