Çfarë mund të bësh ti?

Hyrje

Tek kjo faqe janë renditur hapat që mund të ndërmerrni ju si qytetarët të Republikës së Shqipërisë për të mbrojtur mjedisin dhe të drejtat tuaja të parashikuara në Kushtetutë dhe ligje të tjera. Informacioni i mëposhtëm do t'ju ndihmojë që të krijoni një bazë solide nga ku mund të nisni fushatën tuaj ligjore.

Pasqyra e faqes

Ti mund të kërkosh transparencë institucionale për çdo aktivitet privat ose shtetëror që ka të bëjë me mjedisin.

Ti mund të bashkosh forcat me qytetarë të tjerë ose komunitetin dhe të mbroni të drejtat tuaja.

Ti mund të ngresh padi gjyqësore kundër subjektit që ka shkaktuar dëm mjedisor ose që ka shkelur të drejtat e tua ose të komunitetit.

Ti mund të kërkosh dëmshpërmblim në rast të një dëmi mjedisor.

Si ndërtohet një fushatë e suksesshme ligjore? Radha e veprimeve.

Ti mund të kërkosh transparencë institucionale

  • Ti mund të kërkosh informacion nga institucionet shtetërore për një projekt që në momentin e parë të propozimit për investim.
  • Ti mund të kërkosh nga autoritetet publike zhvillimin e konsultimit publik me komunitetin ku jeton, përmes kërkesave e peticioneve.
  • Ti mund të ankohesh në rrugë administrative pranë Komisionit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale (KDI), në rast të refuzimit të informacionit dhe tek Ministria përkatëse që mbulon fushën e mjedisit në rastin kur nuk zhvillohet një konsultim publik.
  • Ti mund të ngresh padi gjyqësore për mbrojtjen e të drejtave që janë shkelur prej moszhvillimit të konsultimit publik në mënyrë efektive.
  • Ti mund të ankohesh në Gjykatën Administrative në rast të refuzimit të ankimit nga KDI
  • Ti mund të ankohesh pranë Komitetit të Pajtimit të Konventës së Aarhus në rast të mosinformimit dhe moszhvillimit të konsultimit publik për cështjet mjedisore

Kliko këtu për të mësuar se si formulohet një kërkesë për informacion.

Ti mund të bashkosh forcat me qytetarë të tjerë ose komunitetin dhe të mbroni të drejtat tuaja.

  • Ti mund të bashkosh forcat me qytetarë të tjerë, të cilët përballen me të njëjtin problem si ti me qëllim që sabashku të ngrini zërin dhe të përfaqësoni më mirë interesat tuaja.
  • Ti mund të kërkosh ndihmën e organizatave jofitimprurëse mjedisore dhe ligjore, gazetarëve, juristëve, etj. që kanë eksperiencë ose janë aktivë në sektorin e mbrojtjes së mjedisit.

Kliko këtu për të mësuar se si formulohet një Peticion (kërkesë) drejtuar Kuvendit të Shqipërisë.

Ti mund të ngresh padi gjyqësore kundër subjektit që ka shkaktuar dëm mjedisor ose që ka shkelur të drejtat e tua ose të komunitetit.

  • Ti mund të ngresh padi në gjykatë për të kundërshtuar vendimarrjen e autoriteteve publike me impakt në mjedis nëse kjo vendimarrje është marrë në kundërshtim me ligjin dhe që cënon në mënyrë të drejtërdrejt interesat e individëve që janë pjesë e komunitetit. Këtu përfshihet edhe e drejta për të kërkuar pezullimin e punimeve që kanë nisur, nëse janë kushtet që dëmi është i menjëhershëm, i rëndë dhe i pashmangshëm.

Kliko këtu për të mësuar si formulohet një kërkesë për padi gjyqësore.

Ti mund të kërkosh dëmshpërmblim në rast të një dëmi mjedisor.

  • Ti mund të ngresh një padi gjyqësore kundër institucioneve shtetërore ose bizneseve për të fituar të drejtën e dëmshpërblimit në rastin kur është shkaktuar një dëm mjedisor

Si ndërtohet një fushatë e suksesshme ligjore? Radha e veprimeve.

Në demokraci, qytetarët kanë në dispozicion mjete të shumta ligjore e institucionale që u vinë në ndihmë për të zhvilluar fushata në kërkim të të drejtave të tyre në raport me mjedisin, pronën dhe shëndetin. Suksesi i një fushate varet shumë nga sasia dhe cilësia e materialeve, provave, dëshmive të ekspertëve teknikë e ligjorë, por edhe vullneti e këmbëngulja, pasi komunikimi me institucionet shtetërore është një proces kompleks e i ngadaltë. Mëposhtë janë radhitur disa nga veprimet kryesore që duhet të ndërmarrë individi, komuniteti dhe OSHC-të në mënyrë që të ndërtojnë një fushatë të suksesshme ligjore në mbrojtje të të drejtave të tyre.

  • Evidentimi i ligjeve në fuqi, institucioneve dhe departamenteve përgjegjëse për menaxhimin e mjedisit.
  • Komunikimi me institucionet përgjegjëse nëpërmjet kanaleve zyrtare. Depozitimi i kërkesave për informacion, transparencë, konsultim publik, etj.
  • Mbledhja e dokumentacionit zyrtar tekniko-ligjor. Depozitimi i kërkesave pranë institucioneve përkatëse për pajisje me dokumentacion tekniko-ligjor.
  • Mbledhja e provave që vërtetojnë dëmin e shkaktuar nga aktiviteti industrial (fotografi, video, mbetje, objekte, koordinata, etj.).
  • Kryerja e analizave laboratorike (si mjekësore ashtu edhe kimike) nga laboratorë të akredituar, për vërtetimin e dëmit shëndetësor ose mjedisor për rastet kur ka pasur ndotje.
  • Mbledhja e dëshmive të regjistruara (në video dhe me shkrim) të dëshmitarëve ose të personave që janë prekur nga aktiviteti industrial.
  • Mbledhja e dëshmive, analizave dhe studimeve të dokumentuara të specialistëve teknikë e ligjorë.
  • Formulimi i peticioneve pranë Kuvendit të Shqipërisë në raste kur është e nevojshme që të ndryshohen ose plotësohen ligjet dhe aktet nënligjore.
  • Formulimi i padisë gjyqësore.